Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar pretendimet se nuk mori pjesë në funeralin e Papës për shkak të një takimi të supozuar në Beograd me djalin e ish-Presidentit Donald Trump.
“Shqiptarët kanë parë një kontratë të pabesueshme të kënetës, me një grup magjistarësh amerikanë. 6 milionë dollarë janë deklaruar si pagesë nga ana e kënetës për të pastruar damkën nga balli i bufit të kënetës. Është thënë që kjo është një kontratë që financohet nga një grup patriotësh. Kjo më kujton vjehrrët dhe baxhanakët dhe gjykatësit e korruptuar që nuk kishin si të justifikonin lloj-lloj pasurish,” deklaroi Rama.
Më tej, ai shtoi:
“Nuk qenka aq e thjeshtë saç u bë, nuk qenka aq e thjeshtë që këtu qenka një komplot ndaj një burri të ndershëm dhe u ngritën SHBA dhe e damkosën, se unë me Sorosin bëmë një konspiracion dhe ky i shkreti viktimë e pafajshme.”
Kreu i qeverisë komentoi edhe spekulimet për një takim të pretenduar në Beograd:
“Sot kishte futur në lojë nëpërmjet një çyryku që e mban afër edhe familjen e presidentit Trump. Sipas tij unë paskësha bërë një përpjekje për të shkuar në Beograd, prandaj nuk shkova për t’i dhënë lamtumirën Papës, po prita të shkojë në Beograd, se aty do shkonte djali i Trump dhe unë me vëllain tim Vuçiçin do futesha si fanti spathi dhe do ta përshëndesja. Por kjo nuk ishte e mundur sepse kjo dështoi sepse SHBA… Ok, deri këtu ne i dimë.”
Rama theksoi se deri edhe njerëzit e familjes së ish-presidentit amerikan janë detyruar të mohojnë këto pretendime:
“Por kur sheh që detyrohen njerëzit e familjes së presidentit të SHBA që të mohojnë këtë çmenduri, realisht të vjen turp.”
Në fund të deklaratës së tij, ai ironizoi:
“Atje nuk e di njeri dhe nuk e njeh njeri përveç këtyre që marrin 6 milionë dollarë, sepse po të çohet edhe Lymi i tytit të paguajë 6 milionë dollarë, vjen Latifi dhe na e prezanton të gjithëve. 6 milionë dollarë për të ardhur njëherë për të folur në dasmën e Lymit të Tytit, vjen Latifi pa problem fare. Problemi është që pa ato 6 milionë dollarët nuk e di njeri kush është Lymi.”


