Së fundmi, me vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për mbylljen e platformës “TikTok” është përfolur se po përdoret një pajisje të quajtur “Deep Packet Inspection” (DPI) për të kontrolluar dhe ndaluar qasjen në TikTok.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime të mëdha sa i përket lirisë në internet dhe të drejtën për privatësi në vend.
Në nj intervistë për “Shqipëria Live”, Besmir Semanaj, Inxhinier i sistemeve të Sigurisë, deklaron se deri më tani dihet që kjo teknologji është instaluar në Shqipëri. Por mbetet e paqartë nëse kjo metodë po përdoret nga qeveria apo jo.
“DPI është një teknologji e avancuar që lejon monitorimin dhe filtrimin e trafikut të internetit në mënyrë të detajuar. Nëse kjo teknologji aplikohet, mund të kenë akses në të dhënat e qytetarëve, pra se çfarë kërkohet në google, çfarë platformash sociale përdor. Ne dimë deri më tani që këto pajisje janë instaluar në Shqipëri. Nuk e dimë nëse kanë nisur të përdoren. Ka shumë shtete që i përdorin, si Turqia, Irani, Afganistani dhe Arabia Saudite që i përdorin për censurë, apo për kontroll. Kemi dhe Italinë që e ka të rregulluar me ligj përdorimin e DPI-së.” tha Semanaj.

