Këshilli i Ministrave ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dokumentet zyrtare për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Në argumentimin e tij, qeveria thekson se Veliaj nuk mund t’i drejtohej Kushtetueses për anulimin e vendimit, pasi shkarkimi u bazua në ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe mungesën e tij fizike në detyrë për më shumë se tre muaj, për shkak të masës së arrestit me burg.
Sipas Këshillit të Ministrave, vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë (nr.69, datë 23.9.2025) për shkarkimin e kryebashkiakut është i ligjshëm, pasi mosparaqitja e Veliajt për periudha të gjata përbën shkak ligjor për propozimin e shkarkimit, sipas nenit 62, ligji nr.139/2015. Dokumentet theksojnë gjithashtu se ankimi në Gjykatën Kushtetuese apo gjykatën administrative nuk pezullon efektet e vendimit.
Në lidhje me zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj, i cili kishte shpallur datën 9 nëntor për zgjedhjet, pasi Veliaj kishte ankimuar vendimin e shkarkimit dhe dekretin për zgjedhjet.
Kështu, Bashkia e Tiranës nuk do të futet për momentin në procesin e zgjedhjeve të pjesshme, ndërsa bashkitë e tjera që do të zhvillojnë zgjedhje janë: Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena. Në disa prej këtyre bashkive, kryetarët dhanë dorëheqjen për t’u bërë deputetë ose u emëruan në poste të tjera qeveritare, ndërsa në Tiranë Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër të kryeministrit.
Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë më 31 tetor nëse do të pranojë kërkesën e Veliajt për pezullimin e vendimit dhe të zgjedhjeve të pjesshme.


