Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, deklaroi se nga amnistia penale do të përfitojnë rreth 1290 persona të dënuar për vepra të lehta penale, si dhe një numër i konsiderueshëm të paraburgosurish, për të cilët do të shuhet ndjekja penale.
Në një intervistë për RTSH, Lamallari sqaroi se rreth 900 të dënuar do të përfitojnë ulje të dënimit, ndërsa mbi 300 persona do të lirohen pasi pjesa e mbetur e dënimit do të konsiderohet e shlyer.
“Ky është një lajm i mirë për ata që janë dënuar për vepra të lehta penale apo ndodhen në paraburgim. Për shumë prej tyre ndjekja penale do të shuhet për shkak të natyrës së veprës, e cila nuk përbën rrezik për komunitetin,” u shpreh ministri.
Lamallari theksoi se amnistia nuk është thjesht një akt faljeje, por një politikë rehabilitimi dhe riintegrimi social.
“Këta persona janë më të dobishëm pranë familjeve të tyre sesa pas hekurave. Ata kanë vuajtur një pjesë të konsiderueshme të dënimit dhe mbajtja e mëtejshme në burg nuk i shërben as sistemit dhe as shoqërisë. Ky është një akt human dhe një shprehje e vullnetit politik të qeverisë,” tha ai.
Sipas ministrit, nisma vjen pas një analize të thelluar të situatës në sistemin penal, veçanërisht lidhur me përdorimin e lartë të masës së paraburgimit.
“Ka raste kur vendimi përfundimtar i gjykatës është më i lehtë sesa koha që personi ka kaluar në paraburgim. Kjo është një padrejtësi që kërkon zgjidhje,” theksoi Lamallari.
Ministri foli gjithashtu për ndryshimet e fundit në Kodin Penal, duke veçuar mbrojtjen e shtuar për gazetarët.
Ai sqaroi se neni 120 i Kodit Penal tashmë përjashton gazetarët nga ndjekja penale për shpifje kur ata veprojnë në kuadër të raportimit profesional, ndërsa neni 238 parashikon dënime më të rënda për këdo që kanos një gazetar.
“Këto ndryshime janë pjesë e përputhjes së legjislacionit shqiptar me standardet europiane dhe synojnë forcimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e atyre që informojnë publikun,” përfundoi Lamallari.


