Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi sot se pretendimet e disa politikanëve europianë për një Rusi agresive ndaj NATO-s janë të pabaza dhe të paargumentuara. Ai theksoi se Moska nuk ka asnjë qëllim për të sulmuar aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Është e pabesueshme të mendohet se Moska do të sulmojë NATO-n”, tha Putin, duke akuzuar elitat politike evropiane për përhapjen e panikut dhe paralajmërimeve të pabazuara për një konflikt të afërt me Rusinë.
Presidenti rus theksoi se veprimet e mundshme të Moskës nuk burojnë nga dëshira për konflikt, por nga nevoja për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Ai paralajmëroi se, nëse do të jetë e nevojshme, Rusia do të marrë kundërmasa ndaj çdo përpjekjeje për të rritur praninë ushtarake në Evropë.
Në një referencë të veçantë ndaj Gjermanisë, Putin tha se Moska po ndjek me kujdes përpjekjet për forcimin e ushtrisë gjermane. “Nëse dikush dëshiron garë ushtarake, Rusia ka treguar më shumë se një herë se di të përgjigjet me shpejtësi. Rusia nuk duhet provokuar, dobësia nuk është e pranueshme”, shtoi ai.
Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë tensioni mes Rusisë dhe Perëndimit, ku paralajmërimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak kanë rritur shqetësimet për stabilitetin në Evropë.


