Nga Berat Buzhala
Turqia, Egjipti, Emiratet, Katari, Bahreini, Iraku, Jordania, Arabia Saudite, bashkë edhe me 22 shtete, janë pajtuar në muajin tetor të vitit të kaluar që Hamasi duhet të zhduket si forcë e armatosur, kurse një numër jo i vogël i ekstremistëve shqiptarë iu janë turrur kryeministrit Edi Rama, që e kërkoi këtë gjë në fjalimin e tij në Knesset, duke i injoruar krimet e Izraelit.
Nuk është i vogël numri i shqiptarëve që më shumë preokupohen me problemin e Palestinës sesa me problemin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Nejse, nuk e di sa prej jush e mbajnë mend Samitin për Paqen në Gaza që u mbajt në Sharm El Sheikh të Egjiptit, e i cili u bashkëdrejtua nga Presidenti i Egjiptit Fatah El Sisi, Presidenti i Amerikës Donald Trump, Emiri i Katarit Tamim Bin Hamad Al Thani, si dhe Presidenti i Turqisë Erdogan.
Irani, i cili në vitin 2022 e ka sulmuar Shqipërinë me sulme kibernetike, me dekada e ka financuar dhe e ka përdorur Hamasin për dy qëllime politike:
Nëse dikush mendon që aleanca Hamas–Iran ka qenë dhe është një lloj koalicioni me prapavijë fetare, e ka shumë gabim.
Koalicioni Hamas–Iran është koalicion i pastër politik, që i shërben vetëm Iranit dhe krerëve të Hamasit, por jo edhe palestinezëve. Që nga viti 2006, kur Gaza sundohet nga Hamasi, jeta e palestinezëve vetëm ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e pajetueshme.
Palestinezët janë figura shahu dhe viktima të implikimeve ideologjike dhe financiare, nga jashtë dhe nga brenda.
Shumica e vendeve arabe, posaçërisht Arabia Saudite, as nuk e kanë përkrahur, e as nuk e përkrahin Hamasin, por e përkrahin Fatahun. Hamasi është bërë faktor politik në vitin 2006, kur i ka fituar zgjedhjet.
Javët e para pas kësaj fitoreje, Hamasi i ka vrarë përfaqësuesit e Fatahut në Gaza.
Pra, palestinezët janë të copëtuar politikisht nga brenda dhe nga jashtë, dhe për këtë nuk është fajtor Izraeli, por janë vetë.
Qytetarët e thjeshtë palestinezë tash e dy dekada janë të detyruar të zgjedhin mes një organizate terroriste dhe të korruptuar si Hamasi dhe një organizate ultra të korruptuar si Fatahu.
Pasuria e Mahmud Abbasit të Fatahut llogaritet disa miliarda, kurse krerët e Hamasit jetojnë në luksin e pafund të Katarit.
Faktori i tretë, pas Arabisë Saudite dhe Egjiptit në njërën anë dhe Iranit në anën tjetër, është Turqia. Turqia është vendi i vetëm me shumicë myslimane sunite që e mbështet haptazi Hamasin.
Sigurisht, as Turqia këtë mbështetje nuk e ka sepse solidarizohet me vuajtjet e palestinezëve për shkak të fesë. Nuk e ka Erdogani këtë hall.


