Debati për reformën zgjedhore ka kaluar në një fazë më të thellë: dakordësia për financimin e partive politike ka hapur rrugën për diskutime që prekin Kushtetutën.
Oerd Bylykbashi, nga Partia Demokratike, hodhi në tryezën e komisionit kërkesën për ndryshimin e sistemit elektoral dhe rikthimin e koalicioneve parazgjedhore. Ai e konsideron sistemin aktual “toksik” për pluralizmin dhe demokracinë, duke theksuar se masat e ndërmarra deri tani janë “arnime” që synojnë vetëm mbajtjen e pushtetit nga Edi Rama.
Nga ana tjetër, socialistët janë të gatshëm për kompromis, por me një kusht: çdo ndryshim kushtetues duhet të shoqërohet me uljen e numrit të deputetëve. Damian theksoi se komisioni nuk ka mandat për të ndryshuar Kushtetutën, por mund të diskutohet çështja vetëm nëse ka dakordësi politike.
Megjithatë, demokratët i mbyllën derën një pakti të gjerë, duke theksuar se reduktimi i numrit të mandateve rrezikon zhdukjen e partive të vogla. “Kjo nuk është çështje për histori komisionesh, por për interes të drejtpërdrejt politik,” tha Bylykbashi.
Qëndrimet e palëve mbeten larg, por sinjali i parë për prekjen e Kushtetutës është dhënë, duke paralajmëruar negociata të vështira politike për të ardhmen e sistemit zgjedhor.


