Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Sarandës, këshilltarët e majtë dhe të djathtë lanë mënjanë ndasitë politike dhe votuan pro dhënies me qira të 60 hektarëve tokë në Nivicë për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Vendimi u mor në një seancë me dyer të mbyllura, ndërsa jashtë sallës shpërthyen tensione mes banorëve dhe policisë. Qytetarët e konsideruan projektin si një grabitje të pronave të tyre.
“Policia mbron pronën e qytetarit, jo hajdutin e saj. Hiqni dorë nga ky projekt, sa u bë Kakomeja, aq do bëhet edhe ky. Ne do vritemi për pronën tonë,” u shpreh një banor i revoltuar.
Një tjetër shtoi: “Nivica ka kufij të qartë, kjo është prona jonë. Vendimi është i jashtëligjshëm. Duam certifikatat, jo të na grabisin tokën.”
I pyetur për situatën, Sali Berisha tha se vendimmarrja “në aparencë nuk është normale”, por theksoi se “ligji detyron dialogun me komunitetin”.
Parku fotovoltaik do të ndërtohet nga kompania “Park Sol Energy”, e krijuar në shtator 2022, në pronësi të biznesmenëve Paqsor Buzi dhe Agim Xhindoli.


