TIRANË– Sot në mesditë, ora 12:00, Partia Demokratike do të mbajë një mbledhje me aleatët e saj, ndërkohë bëhet me dije se në qendër të diskutimeve pritet të jenë protesta e 7 tetorit dhe aksioni opozitar.
Takimi do të zhvillohet në selinë e Partisë Demokratike.
Kujtojmë se PD ka deklaruar ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa një ditë më parë në shenjë revolte deputetë të opozitës kanë djegur një pjesë të karrigeve në shkallët e Parlamentit.
Gjithashtu deputetët e opozitës bojkotuan punën e Komisioneve Parlamentare, me përjashtim të Komisionit për Çështjet Europiane, ku Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, mbajtën qëndrimin zyrtar të PD-së lidhur me procesin e integrimit.
PD më 7 tetor ka thirrur një protestë e cila pritet të nisë para godinës së Kryeministrisë, por është paralajmëruar se grupe protestuesish do të bllkojnë akset rrugore, kryqëzime apo arterie rrugësh, në një formë të mosbindjes civile. Opozita akuzon Ramën lidhur më dënimin me një vit burg të deputetit Ervin Salianji.


