Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”, u ndal te vizita në Bochum të Gjermanisë, projektet e digjitalizimit dhe debatet mbi investimet në Zvërnec dhe Sazan.
Rama tha se në samitin ndërkombëtar të teknologjisë “Ruhr Summit” prezantoi transformimin digjital të Shqipërisë, ndërsa zhvilloi edhe një takim me kryeministrin e landit të Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, ku u diskutua për procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te intervista e tij për Deutsche Welle, duke thënë se u përball me pyetje të bazuara, sipas tij, në informacione të pasakta lidhur me projektet në Zvërnec dhe Sazan.
“Si mund të privatizohet, të shitet toka publike? Kjo as nuk ka ndodhur dhe as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, ndërsa Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Shteti do të mbetet gjithmonë pronar i tokës dhe, për t’u realizuar marrëveshja, do të jetë ortak në sipërmarrje,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se projekti do të zhvillohet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis po kryhet sipas kërkesave të legjislacionit europian.
Sipas Ramës, Komisioni Europian është informuar vazhdimisht për projektin dhe nuk ka shprehur shqetësime, pasi i gjithë procesi do të zhvillohet nën monitorimin e institucioneve europiane


