Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se për herë të parë në historinë e Kosovës Qeveria ka bllokuar buxhetin e kryeqytetit, duke rrezikuar funksionimin e shërbimeve bazë. Sipas tij, nga e hëna, disa prej shërbimeve jetike si ushqimi në shkolla, transporti publik, shëndetësia dhe ndihma sociale mund të ndërpriten.
Rama tha se pas takimit me përfaqësuesit e transportit urban dhe operatorët privatë është njoftuar se nga dita e nesërme qarkullimi i autobusëve do të ndalet plotësisht. Ai e cilësoi bllokimin e buxhetit si vendim politik, duke theksuar se për më shumë se një vit Komuna ka kërkuar alokimin e mjeteve, por asnjë kërkesë nuk është trajtuar.
Sipas tij, Ministria e Financave ka pezulluar 35 milionë euro – prej të cilave 25 milionë të ardhura vetanake dhe 10 milionë euro të grantit qeveritar – në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye, Rama bëri të ditur se është dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë, Hekuran Murati, dhe zyrtarëve përgjegjës. Ai njoftoi gjithashtu se është drejtuar kryeministrit në detyrë, presidentes dhe Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim urgjent të situatës.
Kryebashkiaku paralajmëroi se edhe ndërmarrje të tjera komunale mund të ndërpresin shërbimet për shkak të mungesës së fondeve. “Nuk kam besuar kurrë që qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik nga interesa zgjedhore”, u shpreh ai, duke bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë.
Edhe ndërmarrja “Trafiku Urban” konfirmoi vështirësitë financiare dhe njoftoi se që nga e hëna, 24 nëntor 2025, do të ndalen të gjitha linjat e transportit publik për shkak të mungesës së karburantit. Sipas njoftimit, pavarësisht bilancit pozitiv, vonesat e Komunës në shlyerjen e detyrimeve kanë krijuar një situatë të pakontrollueshme. Qarkullimi, thekson ndërmarrja, do të rifillojë sapo Ministria e Financave të lëshojë mjetet e bllokuara.


