E përlotur dhe duke qëndruar pranë karriges bosh që dikur përdorte bashkëshorti i saj në podkastet e Turning Point USA, Erika Kirk, e veja e aktivistit konservator Charlie Kirk, mbajti një fjalim prekës ku falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë, miqtë e familjes dhe Shtëpinë e Bardhë për mbështetjen pas atentatit që i mori jetën 31-vjeçarit.
Duke cituar vargje biblike dhe duke ngritur sytë lart mes lotësh, ajo tha se burri i saj e donte Amerikën, Presidentin Donald Trump, Zëvendëspresidentin JD Vance dhe mbi të gjitha, familjen e tij.
“Zëri i burrit tim do të mbetet,” u zotua ajo. “Nuk e keni idenë çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje – britmat e kësaj vejushe do të jehojnë në mbarë botën si një britmë beteje.”

Fjalimi u transmetua nga selia e organizatës në Arizona, ku ceremonia nisi me minuta heshtje dhe kamera u ndal gjatë mbi karrigen bosh të Charlie-t.
Mes rrëfimit të dhimbjes, Erika Kirk kujtoi edhe fëmijët e tyre të vegjël, një djalë njëvjeçar dhe një vajzë trevjeçare, të cilëve përpiqet t’u shpjegojë humbjen e papritur:
“Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin.”


