Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Lagunën e Patokut, ku dy adoleshentë u përfshinë nga rrjedha e ujit teksa po laheshin. Ngjarja u regjistrua rreth orës 15:00 në zonën që lidh kanalin e lagunës me detin.
Pas disa orësh kërkimesh intensive nga polumbarët e RENEA-s, është gjetur trupi i pajetë i një 16-vjeçari që nuk arriti t’i mbijetojë rrjedhës së fortë të ujit. Ndërkohë, adoleshenti tjetër është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në operacionin e kërkimit kanë marrë pjesë edhe familjarët e viktimës dhe banorët e zonës, të cilët kanë ndjekur me ankth përpjekjet për gjetjen e të miturit.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj tragjedie që ka tronditur komunitetin lokal.


