Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar pas denoncimit të bërë nga familjarët e ish-zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, i cili është shpallur i zhdukur ditën e sotme.
Sipas njoftimit, kallëzimi është bërë në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës nga nëna e 34-vjeçarit, e cila ka deklaruar se prej orëve të paradites ka humbur kontaktet me djalin e saj. Para se të zhdukej, Shima i kishte dërguar një mesazh familjarëve ku shkruante se “po e arrestonin”.
Pas verifikimeve të menjëhershme, Policia thekson se ndaj tij nuk ekziston asnjë urdhër ndalimi dhe se nuk është shoqëruar në ndonjë komisariat.
“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Sh., e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin D. Sh., 34 vjeç. Shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për gjetjen e tij”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia ka nisur kontrollet dhe hetimet, ndërsa rasti ka ngjallur shqetësim për shkak të funksionit të mëparshëm të Shimas në një nga institucionet më të rëndësishme të teknologjisë së informacionit në vend.


