Policia belge ka bastisur të enjten zyrat e Komisionit Evropian në kuadër të një hetimi për parregullsi të mundshme në shitjen e aseteve të pasurive të paluajtshme.
Sipas agjencisë Reuters, hetimi po drejtohet nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) dhe lidhet me shitjen e 23 ndërtesave, të cilat u blenë në vitin 2024 nga fondi sovran belg i pasurisë, SFPIM, për një vlerë prej 900 milionë eurosh.
Në kohën e transaksionit, Komisioni Evropian deklaroi se procedura e shitjes ishte zhvilluar përmes tenderit dhe në përputhje me rregulloren financiare të Bashkimit Evropian.
EPPO konfirmoi se është kryer një bastisje, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi çështjen. Zëdhënësja e Prokurorisë Publike Evropiane, Tine Hollevoet, bëri të ditur se aktualisht po ndërmerren veprime për mbledhjen e provave në kuadër të një hetimi në vazhdim, duke theksuar se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike informacione shtesë për të mos cenuar procesin.
Nga ana tjetër, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe policia federale belge refuzuan të komentojnë. Po ashtu, Komisioni Evropian, SFPIM dhe Johannes Hahn nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për reagim.


