Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje nga një tjetër ndërhyrje për lirimin e hapësirave publike, pjesë e aksionit kombëtar kundër zaptimit të trotuareve dhe ambienteve të përbashkëta nga bizneset private.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, fadromat shembin një strukturë metalike dhe xhami që i përkiste një bari, duke rikthyer plotësisht përdorimin e trotuarit për qytetarët. Krahas pamjeve, Rama shkruan: “Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura! Vazhdojmë.”
Aksioni është pjesë e vizionit të qeverisë për “Rilindjen Urbane 2.0”, që synon përmirësimin e hapësirave publike dhe ngritjen e standardeve të shërbimit në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, është paralajmëruar edhe hartimi i një Rregulloreje Kombëtare, që do të përcaktojë me ligj se cilat sipërfaqe mund të shfrytëzohen nga bizneset.
Qeveria e sheh lirimin e hapësirave publike si një domosdoshmëri për rritjen e cilësisë së jetës urbane dhe funksionalitetit të qyteteve, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo pjesë të Shqipërisë.
Aksioni ka nisur në fillim të korrikut dhe do të vijojë në bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore.


