Dalja e lumit Erzen nga shtrati ka shkaktuar përmbytje të shumta në fshatin Katund i Ri, në qarkun e Durrësit, duke mbuluar disa zona të banuara.
Për shkak të situatës së krijuar, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në disa lagje të fshatit, ndërsa forcat e emergjencave dhe ushtria janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve të prekur.
Gjatë operacioneve për të arritur në zonat e përmbytura, një kamion i ushtrisë është aksidentuar dhe është përmbysur në ujë. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa po punohet për nxjerrjen e mjetit dhe vijimin e ndërhyrjes.
Situata vijon të monitorohet nga autoritetet, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara.


