TURQI-Policia turke ka ndaluar të paktën nëntë gazetarë të cilët po i mbulonin protestat e natës në disa qytetet kundër arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Lajmi është bërë i ditur nga Unioni i Gazetarëve i Turqisë ditën e sotme. Ndërkohë ende s’është e qartë arsyeja e ndalimit të gazetarëve.
Një gjykatë turke urdhëroi të dielën burgosjen e Imamoglut, rivalit kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, në pritje të gjykimit nën akuzat për korrupsion.
Kujtojmë se arrestimi i Imamoglut javën e kaluar ka nxitur protestat më të mëdha në vend në dekadën e fundit.
Pavarësisht se në shumë qytete protestat në rrugë u ndaluan nga autoritetet, ka pesë net radhazi që qytetarët kanë mbajtur protesta, kryesisht paqësore, kundër Qeverisë. Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), ka bërë thirrje për protesta kundër vendimit të gjykatës për Imamoglun, duke e cilësuar vendimin si të politizuar dhe jodemokratik. Qeveria mohon se hetimet janë të motivuara politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura./Radar.al


