Një video e verifikuar nga Le Parisien ka zbuluar momentet spektakolare të arratisjes së dy grabitësve që vodhën bizhuteri me vlerë 88 milionë euro nga muzeu i Luvrit në Paris.
Pamjet, që zgjasin rreth 30 sekonda, tregojnë dy persona teksa zbritin me vinç nga ndërtesa e muzeut dhe më pas largohen me një motor sportiv. Sipas mediave franceze, grabitësit ishin futur në Galerinë e Apolonit përmes një dritareje, ku ndodheshin ekspozuar tetë thesare kombëtare franceze.
Në sfond dëgjohet një zë që thotë: “Janë me motor… po ikin… dreq, erdhi policia!”, ndërsa grabitësit tentojnë t’i vënë flakën vinçit për të zhdukur provat, por nuk ia dalin.
Njëri prej tyre shihet me jelek fosforeshent dhe tjetri me helmetë motoçiklete, të veshur të dy me rroba të zeza, duke vepruar me qetësi të frikshme.
Drejtoresha e Luvrit pranon dobësi në sistemin e sigurisë
Në një dëshmi para Komisionit të Kulturës në Senatin francez, drejtoresha e muzeut, Laurence des Cars, pranoi se sistemi i jashtëm i kamerave kishte qenë “pika më e dobët” e sigurisë.
“Sistemi i alarmit në sallën e Apolonit funksionoi në mënyrë të përsosur,” tha ajo. “Por jashtë ndërtesës, kamerat janë të vjetra dhe nuk mbulojnë të gjitha fasadat. Pikërisht në anën ku ndodhi grabitja, kamera e vetme ishte e kthyer nga perëndimi dhe nuk kapte ballkonin e hyrjes së hajdutëve.”
Grabitja më e guximshme në historinë e muzeut
Sipas hetimeve paraprake, dy autorët kishin vendosur një vinç në rrugën publike pranë muzeut, me të cilin u ngjitën në fasadë, prenë një derë xhami me sharrë elektrike dhe hapën vitrinet me bizhuteri. E gjithë operacioni zgjati vetëm disa minuta.
Policia franceze ka nisur një operacion të gjerë kërkimi për identifikimin e grabitësve dhe rikuperimin e bizhuterive, të cilat konsiderohen vepra me vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike.


