Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mbrëmjen e së premtes në zonën e Fllakës, në Durrës, ku një 36-vjeçar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur pranë një shkolle, në kufirin midis zonës së Shënavlashit dhe Fllakës. Autorët, ende të paidentifikuar, kanë qëlluar nga një automjet tip “Ford” në lëvizje, duke goditur viktimën në krahun e majtë me armë të llojit pistoletë.
Pavarësisht plagës, 36-vjeçari Arber Gorgea ka mundur të shkojë vetë në Komisariatin e Policisë për të kërkuar ndihmë, dhe më pas është transportuar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ndodhet aktualisht në sallën e operacionit. Gjendja e tij shëndetësore mbetet për t’u saktësuar.
Burime nga policia bëjnë me dije se i plagosuri është i njëjti person që ka mbetur i plagosur edhe dy vite më parë në një tjetër atentat, duke ngritur dyshime për konflikte të hapura dhe përplasje të vazhdueshme mes palëve.
Forca të shumta policie ndodhen në spital dhe në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të atentatit.


