Policia e Vlorës ka bërë me dije detaje mbi plagosjen e 37-vjeçarit Skerdi Mehmetaj, i cili mbërriti sot në spital për ndihmë mjekësore pas një vetëplagosjeje me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen “10 Korriku”.
Autoritetet informuan se arma e përdorur, një pistoletë, u sekuestrua si provë materiale dhe dyshohet se është hedhur nga Mehmetaj brenda një automjeti pas ngjarjes.
Policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, lidhur me shtetasin S. M., 37 vjeç, banues në Selenicë, i cili mbërriti sot në spitalin e Vlorës për ndihmë mjekësore pasi ishte plagosur me armë zjarri, nga verifikimet e shpejta hetimore dyshohet se 37-vjeçari është vetëplagosur me armë zjarri pistoletë, në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “10 Korriku”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe arma e zjarrit (pistoletë), e cila dyshohet se është hedhur nga shtetasi S. M, brenda një automjeti, pas ngjarjes. Vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.


