Policia Shtetërore Italiane ka arrestuar në Aeroportin “Valerio Catullo” të Veronës një 32-vjeçar shqiptar, sapo ai mbërriti nga Tirana. Gjatë kontrolleve rutinë të pasaportave, oficerët e Policisë Kufitare konstatuan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti europian nga autoritetet britanike për trafik ndërkombëtar kokaine.
Sipas mediave italiane, autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar e konsiderojnë të arrestuarin si pjesë të një grupi kriminal të strukturuar, që vepronte në bregdetin jugor të Anglisë. 32-vjeçari dyshohet të ketë luajtur një rol qendror në përgatitjen, paketimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës, duke drejtuar gjithashtu anëtarë të tjerë të organizatës.
Gjatë operacioneve të policisë britanike janë sekuestruar mbi 28 kilogramë kokainë dhe rreth 175 mijë paund (afro 200 mijë euro) para të gatshme. Hetimet kanë zbuluar se midis qershorit dhe dhjetorit 2024, shqiptari ka përdorur llogarinë e tij në platformën eBay për të porositur materiale të specializuara paketimi, sasi të mëdha acetoni, si dhe pulla druri me dizajne të ndryshme. Disa prej këtyre stampave rezultuan identike me ato të përdorura për vulosjen e blloqeve të kokainës të sekuestruara gjatë operacioneve.
Pas verifikimit të të dhënave dhe kryerjes së procedurave të nevojshme në zyrat e Policisë Kufitare, ai u shoqërua në burgun e Veronës, ku do të mbahet deri në përfundimin e procesit të ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të një organizate kriminale, në MB parashikohet dënim maksimal deri në burgim të përjetshëm.


