Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi se Katari pritet të lirojë 6 miliardë dollarë nga asetet iraniane të ngrira, ndërsa bisedimet me Shtetet e Bashkuara po zhvillohen në një klimë të tensionuar pas përshkallëzimit të situatës në Gjirin Persik.
Sipas Pezeshkianit, fondet janë pjesë e një marrëveshjeje të përkohshme, ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë shtuar pasigurinë në një prej korridoreve më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë. Ai theksoi se incidentet e fundit kanë ndikuar në lëvizjen e anijeve dhe tankerëve që kalojnë në këtë zonë strategjike, përmes së cilës transportohet rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror në botë.
Situata është përkeqësuar pas sulmeve të fundit ndaj mjeteve lundruese pranë ujërave të Omanit, të cilat u pasuan nga sulme ajrore amerikane, duke shtuar shqetësimet për ecurinë e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ndërkohë, Irani ka ndërmarrë edhe sulme me dronë dhe raketa ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit.
Pakistani, i cili po luan një rol ndërmjetësues në proces, ka bërë të ditur se bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit pritet të rifillojnë të martën për të diskutuar kushtet e një marrëveshjeje të përkohshme.
Nga ana tjetër, administrata amerikane ka deklaruar se negociatat teknike mbeten në axhendë dhe nuk janë anuluar, megjithëse Teherani ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen.
Pezeshkian e cilësoi lirimin e mundshëm të fondeve si një sukses për Iranin, duke bërë të ditur se 6 miliardë dollarë nga gjithsej 12 miliardë dollarë asete iraniane të bllokuara në Katar pritet të rikthehen në vend. Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi afatet apo mekanizmin e transferimit.
Deri më tani, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se asnjë fond iranian nuk është zhbllokuar, ndërsa edhe autoritetet e Katarit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ndonjë transferim të tillë.


