Ish-politikani dhe juristi ukrainas Andriy Portnov, i njohur për lidhjet e tij me regjimin pro-rus të Viktor Yanukovych, u qëllua për vdekje të martën në Madrid, pranë Shkollës Amerikane, ku kishte shoqëruar fëmijët e tij.
Sipas policisë spanjolle, 51-vjeçari u ekzekutua me pesë plumba, disa prej të cilëve në kokë, në një atentat të mirëorganizuar në rrugët e kryeqytetit spanjoll.

Portnov kishte mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të zyrës presidenciale gjatë presidencës së Yanukovych, midis viteve 2010–2014, me përgjegjësi për reformën e sistemit gjyqësor. Më parë, ai kishte qenë edhe deputet për partinë e Yulia Tymoshenko.
Pas rrëzimit të Yanukovych, Portnov u largua fillimisht në Rusi, për t’u kthyer më vonë në Ukrainë pak para zgjedhjes së Volodymyr Zelensky në vitin 2019. Ai u largua sërish pas pushtimit rus në 2022, këtë herë drejt Perëndimit.
Kohët e fundit, Portnov ishte përfshirë në beteja gjyqësore kundër mediave që e cilësonin si “pro-rus”, duke fituar disa procese. Shtetet e Bashkuara e kishin sanksionuar atë në vitin 2021, ndërsa Bashkimi Evropian i kishte hequr sanksionet pas një padie të suksesshme.
Hetimet për atentatin janë në fazë fillestare, ndërsa autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivet apo autorët e mundshëm.


