Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi Irani ka lëshuar gjashtë raketa drejt bazave amerikane në Katar, raportojnë burime të ndryshme ndërkombëtare. Agjencitë Reuters dhe AFP raportojnë për shpërthime që janë dëgjuar mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, ndërkohë që sistemet mbrojtëse ajrore janë vënë në funksion.
Sipas burimeve të Axios dhe Wall Street Journal, të cilat citojnë zyrtarë izraelitë dhe diplomatë perëndimorë, Irani ka synuar konkretisht bazën ajrore amerikane Al Udeid, e cila është një nga instalimet më të mëdha ushtarake të SHBA-së në rajon. Diplomatë të cituar nga Reuters theksojnë se kërcënimi ndaj kësaj baze është vlerësuar si “shumë i besueshëm” që nga mesdita e sotme.
Si pjesë e përgatitjeve për sulmin, Wall Street Journal raporton se Irani ka pozicionuar më herët lançuesit e raketave në gatishmëri për një goditje të mundshme ndaj objektivave amerikane.
Situata ka detyruar autoritetet e Katarit të mbyllin hapësirën ajrore, ndërsa SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë paralajmëruar qytetarët e tyre të strehohen, për shkak të rrezikut të menjëhershëm.
Paralelisht, sistemet e mbrojtjes ajrore iraniane janë aktivizuar edhe në qytetin Ahvaz, në jugperëndim të Iranit, ku agjencia shtetërore Fars raportoi për shpërthime dhe ndërhyrje të mbrojtjes ajrore kundër “objektivave armiqësore”.
Këto zhvillime dramatike vijnë në vazhdën e sulmeve ajrore të ndërmarra nga SHBA ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjatë fundjavës, duke shtuar ndjeshëm rrezikun për një konflikt të hapur ushtarak me përmasa globale.


