Në sallën e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) është zhvilluar një seancë mjaft e tensionuar mes të penduarit të drejtësisë Erjon Alibej dhe të akuzuarit për vrasje Xhuliano Hoxha. Përballja mes tyre solli në pah akuza të ndërsjella, ofendime të rënda dhe detaje të reja për lidhjet dhe konfliktet brenda grupeve kriminale.
Hoxha, i cili dikur kishte pasur marrëdhënie të afërta me familjen Alibej, iu drejtua ish-“mik-ut” me tone sfiduese, duke i kujtuar se pas vrasjes së vëllait të tij kishte qenë ai që kishte shoqëruar nënën, bashkëshorten dhe motrën e Alibejt në varreza.
Hoxha: “A shkonin bashkëshortja jote, motra dhe mamaja në varreza?”
Alibej: “Po, shkonin shpesh.”
Hoxha: “A harrove që i shoqëroja unë? Edhe të thoja që i çova.”
Alibej: “Nuk e mbaj mend. Nëse e ke bërë, faleminderit.”
Hoxha: “Me nder qofsh, po ku di nder ti. Je palaço fare!”
Më tej, Hoxha e pyeti Alibejn për pasurinë e të vëllait pas vdekjes dhe nëse ajo ishte deklaruar pranë prokurorisë, ndërsa tensioni arriti kulmin kur ai e akuzoi se kishte dashur të vriste një grua me inicialet Megi K.
Hoxha: “A ke dashur të vrasësh Megi K.?”
Alibej: “Pyet Suel Çelën. (Më fal avokat që po e përmend). E ke në Peqin Suel Çelën.”
Në fund të seancës, Hoxha i bëri edhe një pyetje provokuese lidhur me një bashkëpunim të mundshëm për të eliminuar një tjetër figurë të njohur të botës së krimit, Talo Çelën.
Hoxha: “A do bashkëpunoje sot me mua dhe Nuredin Dumanin për të vrarë Talo Çelën?”
Alibej: “Edhe me djallin për Talo Çelën.”
Përplasja mes dy të akuzuarve pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vijimin e procesit gjyqësor, pasi deklaratat e tyre hedhin dritë mbi marrëdhënie të ndërlikuara, tradhti dhe plane kriminale që kanë përfshirë disa emra të njohur të botës së nëndheshme shqiptare.


