Një incident i dhunshëm ka shënuar fundin e fushatës elektorale të Partisë Demokratike në Elbasan, ku gjatë mitingut të Sali Berishës është plagosur djali i ish-drejtuesit politik të PD-së në këtë qark, Luçiano Boçi.
Parid Boçi, djali i Boçit, ka marrë një goditje në kokë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit për ndihmë mjekësore. Burimet raportojnë se ai ka pësuar një çarje, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti nisi kur një grup të rinjsh tentuan të futeshin në tarracën e stadiumit për të hedhur fishekzjarrë, por u ndaluan nga roja. Përplasja mes tyre dhe rojes ka eskaluar në një sherr fizik, ku u përfshi edhe Parid Boçi.
Pamjet e ngjarjes tregojnë për një situatë të tensionuar me pjesëmarrje të shumtë, duke hedhur hije mbi mbylljen e fushatës së demokratëve në qytetin e Elbasanit.