Fieri është një nga qytetet më të prekura nga moti i keq dhe reshjet intensive që kanë përfshirë vendin. Si pasojë e përmbytjeve, autoritetet lokale kanë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar nga zonat e rrezikuara.
Në këtë kuadër, Konvikti i Shkollës Profesionale “Rakip Kryeziu” ka hapur dyert për të pritur familjet e larguara nga banesat e tyre. Godina ka një kapacitet maksimal prej 100 personash, ndërsa sipas informacioneve paraprake, pritet të strehohen rreth 20 banorë të evakuuar nga ekipet e shpëtimit.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat e emergjencave janë në terren për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të ofruar ndihmë sipas nevojës.


