Reshjet e shiut në Qarkun e Gjirokastrës kanë vijuar edhe gjatë natës, duke shkaktuar vështirësi në disa akse rrugore dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Aksi nacional Gjirokastër – Tepelenë, në pjesën e quajtur Shkalla e Zezë, është i kalueshëm vetëm me një sens dhe qarkullimi i automjeteve po menaxhohet nga efektivët e policisë. Një pjesë e aksit po pastrohet dhe kontraktori është prezent gjatë gjithë kohës për largimin e dherave. Aksi Përmet – Dogana e Tre Urave është i qarkullueshëm një sens, ndërsa policia është e vendosur në terren për siguri dhe menaxhim të trafikut.
OSHEE njofton se energjia elektrike mungon në njësinë administrative Kurvelesh, bashkia Tepelenë dhe Ballaban, bashkia Këlcyrë, ndërsa punonjësit po punojnë për rikthimin e saj.
Punimet për normalizimin e situatës vazhdojnë në të gjitha bashkitë e qarkut, duke përfshirë hapjen e rrugëve rurale të bllokuara.
Në pikën e matjes së Vjosës në Memaliaj, niveli i ujit është 4 metra, duke treguar vazhdimin e prurjeve të larta në lumë.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonave të prekura.


