Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje edhe në Rrogozhinë. Banorët e zonës janë shprehur se dëmet janë shumë të mëdha dhe se disa u janë dëmtuar bizneset. “Kam ndenjur gjithë natën me kova në duar pasi nuk ka pasur energji elektrike, nuk punonin pompat. As hidrovori. Po nuk e tërhoqi hidrovori ta çojë në det, kështu do shkonte. Hidrovori është përmbytur vetë. Tani bashkia të marrë masa dhe të rregullojë ngjarjen.”- shprehet një qytetar.
Një banore ka thënë se supermarketi në pronësi të saj është nën ujë, ndërsa disa të tjerë bëjnë me faj mos pastrimin e kanalit.
“Jemi përmbytur komplet. Unë këtë e kam supermarket, me këtë ushqehem. Tani është komplet nën ujë, drita s’ka, nuk dimë si ta heqim. Kërkojmë ndihmë. Çdo gjë është shkatërruar, dëmi është kolosal.”-deklaron ajo.
“Niveli i ujit ka shkuar në 80-90 cm. Nuk kishim mundësi të shmangnim përmbytjen, shkak mbetet moti i keq. Mbase dhe hidrovori nuk ka punuar. Dëmet janë të madha.”- tha një qytetar të cilit i është përmbytur hoteli.
“Është përmbytur thuajse gjysma e lagjes, për shkak të mungesës së pastrimit të kanalit. Ka nja pesë vjet as ferrën s’e kanë hequr, për 200 m kanal është përmbytur lagjja.”- tha një tjetër qytetar i prekur nga përmbytjet./Radar.al


