Dosja ARUBA / CEO dhe Drejtori i FIBANK paguan 400 mijë euro për të fshehur pronësinë e gomones së trafikantëve / Uragani
Hetimet e SPAK dhe prokurorëve Altin Dumani dhe Elida Kaçkini në dosjen e njohur si “Aruba” kanë faktuar se bankat e nivelit të dytë janë përdorur masivisht për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në një prej dhjetëra episodeve është faktuar përfshirja direkte e CEO-së së një banke dhe drejtorit të saj për të kaluar në llogaritë e dy shtetasve 400 mijë euro me argumentin “Blerje Gomone”.
Në përgjimet e SPAK thuhet se gomonja ka kushtuar realisht 850 mijë euro, por me letra në bankë, për të pastruar, justifikuar apo qarkulluar paratë, është shënuar vlera prej 400 mijë eurosh. Kjo vlerë përkon edhe me kontratën e blerjes me të cilën FIBANK ka marrë këtë mjet lundrues.
Paratë kanë kaluar nga FIBANK në BKT, thuhet në dosjen “Aruba”, dhe pala blerëse e gomones rezulton të jetë Banka e Parë e Investimeve (FIBANK), e përfaqësuar nga CEO-ja e saj dhe Drejtori i Biznesit.
Sipas materialeve të lexuara nga WebLajm.com thuhet:
“Po në të njëjtën datë, 26.05.2023, shtetasit D.Dh dhe P.Dh (në cilësinë e shitësit) kanë nënshkruar kontratën me nr. repertori 2059 dhe nr. koleksioni 620, me të cilën i kanë shitur mjetin lundrues “Uragan”, me nr. shasie GR-TEC4T113E222, palës blerëse Banka e Parë e Investimeve – Albania sh.a., regjistruar në Regjistrin Tregtar Shqiptar me vendim nr. 35506, datë 19.04.2006, të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, NIPT K72014801J, me seli në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Kullat Binjake, Kulla 2, kati 14, Tiranë, e përfaqësuar rregullisht nga znj. Elma Lloja, shtetase shqiptare, në cilësinë e CEO dhe Drejtoreshës Ekzekutive, dhe z. Gledis Hysenaj, shtetas shqiptar, në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Biznesit.
Palët kanë rënë dakord që çmimi i mjetit lundrues të përshkruar më sipër është 400,000 euro (katërqind mijë euro). Palët deklarojnë se shuma e çmimit të shitjes do të likuidohet nëpërmjet llogarive bankare dhe do të kalojë në llogarinë e palës shitëse D.Dh pranë Bankës Kombëtare Tregtare sh.a.”
Pasi e ka blerë këtë mjet lundrues, FIBANK ia ka lënë në përdorim një biznesmeni, i cili po ashtu është pjesë e të hetuarve dhe të dyshuarve nga SPAK si pjesëtar i grupit kriminal.


