Detaje të reja zbulojnë mënyrën se si u organizua skema e pengmarrjes dhe gjobës prej 10 mijë eurosh ndaj E. Haxhiut, menaxher i një restoranti peshku në Tiranë. Sipas “Weblajm.com”, skenari kishte nisur përmes një lidhjeje intime dhe një mesazhi telefonik, i cili sinjalizoi planin për ta futur viktimën në kurth.
SMS-ja që nisi të gjithë skemën
Haxhiu kishte një raport intim me 21-vjeçaren S. C., e shpallur sot në kërkim. Gjatë kohës që ndodheshin bashkë, në telefonin e saj mbërriti një mesazh nga Lusjan Kizma, që i kërkonte vajzës “ta linte atë” dhe që së bashku t’i bënin menaxherit një “gol” — një skemë mashtrimi dhe shantazhi.
Pasi plani i parë nuk u realizua, katër ditë më vonë, Haxhiu mori një ftesë joshëse në Instagram nga M. M. (21 vjeçe), e cila e ftoi të kalonin natën bashkë në një apartament Airbnb pranë Liqenit Artificial.
Kurthi në apartament
Menaxheri deklaroi se sapo hyri në banesë, nga tualeti dolën dy persona të armatosur me sopatë dhe dru. Ai u dhunua fizikisht dhe aty njohu Lusjan Kizmën, një nga organizatorët kryesorë.
Autorët kërkuan 10 mijë euro për lirimin e tij. Haxhiu arriti të paguante 5 mijë euro — pasi iu lejua të shkonte për pak minuta në shtëpi — dhe u rikthye për t’ua dorëzuar shumën.
Por gjysma e pagesës nuk i kënaqi autorët, të cilët vazhduan ta kërcënonin për pjesën e mbetur.
Personat e shpallur në kërkim dhe të arrestuarit
Policia ka shpallur në kërkim:
– S. C., 25 vjeçe
– M. M., 21 vjeçe
– K. N., 23 vjeç
Ndërkohë, janë vënë në pranga:
– L. K., 24 vjeç
– A. N., 24 vjeç
Operacioni “Kufizimi” dhe provat e sekuestruara
Gjatë kontrollit në banesën e A. K. (60 vjeç), babai i L. K., policia gjeti një pistoletë me municion luftarak, ndërsa në dhomën ku qëndronte L. K. u sekuestruan:
– 5,000 euro, të dyshuara si shuma e marrë nga viktima
– 6 celularë
– 1 automjet
Materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


