Partia Demokratike zgjodhi sot drejtuesit e grupit të saj parlamentar. Kryedemokrati Sali Berisha njoftoi emërimet gjatë mbledhjes së demokratëve.
Gazment Bardhi u konfirmua kryetar i grupit parlamentar të PD-së, ndërsa Agron Gjekmarkaj vazhdon si nënkryetar i Kuvendit. I vetmi që votoi kundër emërimit të Bardhit ishte Bujar Leskaj. “Detyrën e ka bërë shumë mirë, por mendoj se Sali Berisha ka gabuar në këtë rast. Ka gabuar, madje rëndë për mendimin tim”, tha Leskaj, duke theksuar se kjo nuk përbën ndarje nga PD.
Nënkryetarë të grupit u emëruan Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti, ndërsa Elda Hoti mori detyrën e sekretare të grupit parlamentar dhe Ledina Aliolli do të jetë zëdhënëse.


