Një aksident i rëndë mësohet të ketë ndodhur mesditën e sotme në vendin e quajtur “Ura e Vocit”, në Bulqizë.
Burimet bëjnë me dije se shtetasi me iniciale S.H., 64 vjeç, banues në Fushë-Bulqizë, teksa drejtonte mjetin e tij papritmas ka humbur kontrollin e automjetit dhe për pasojë makina e tij ka dalë nga rruga.
Pasi mjeti devijoi nga rruga, 64-vjeçari ka përplasur një këmbësore, shtetasen me iniciale H.M., 59 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 15:50, në vendin e quajtur “Ura e Vocit”, Bulqizë, shtetasi S.H., 64 vjeç, banues në Fushë-Bulqizë, duke drejtuar automjetin e tij, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke aksidentuar këmbësoren, shtetasen H.M., 59 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë.


