Japonia është tronditur mbrëmjen e sotme nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 të shkallës Rihter, i cili goditi prefekturën Aomori pak pas orës 23:00, njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA).
Epiqendra u regjistrua 80 kilometra larg bregut lindor të Aomorit, në një thellësi prej 50 kilometrash. Pas goditjes kryesore, autoritetet lëshuan një paralajmërim për cunami deri në 3 metra për tre prefektura veriore: Aomori, Hokkaido dhe Iwata.
Pak minuta më vonë, në disa zona bregdetare u regjistruan dallgë 30 deri në 70 centimetra, ndërsa më vonë valët arritën edhe deri në 1 metër. Banorëve iu kërkua të evakuohen menjëherë drejt zonave të larta dhe të shmangin vijën bregdetare.
Sipas shkallës japoneze të intensitetit (1–7), tërmeti u vlerësua me fuqinë 6+, një nivel që mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së raportoi se dridhjet prekën edhe qytetin Misawa.
Rreth 20 minuta më vonë, një paslëkundje tjetër e fortë, me magnitudë 5.6, goditi të njëjtën zonë detare. Mediat lokale raportojnë se lëkundjet u ndjenë deri në Tokio.
Japonia, e ndodhur në nyjen e përplasjes së disa pllakave kontinentale dhe oqeanike, përjeton 1,500–2,000 tërmete në vit, nga më të lehtat deri tek ato shkatërruese.
Në kujtesë mbetet tragjedia e vitit 2011, kur një tërmet historik shoqëruar me cunami deri në 40 metra shkaktoi dëme kolosale dhe mijëra viktima.


