Pas katër vitesh largësi, Mbreti Charles III është takuar me Princin Harry, Meghan Markle dhe dy fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, në një takim privat familjar.
Sipas raportimeve të mediave britanike, në takim ishte e pranishme edhe Mbretëresha Camilla. Ky është takimi i parë i monarkut me familjen e plotë të Dukës dhe Dukeshës së Sussex që prej vitit 2022.
Burime të cituara nga Daily Mail bëjnë të ditur se takimi u zhvillua në rezidencën rurale të Mbretit në Gloucestershire dhe kishte karakter plotësisht privat. Për këtë arsye, nuk pritet të publikohen fotografi apo detaje zyrtare mbi bisedimet mes tyre.
Takimi vjen në prag të vizitës së radhës së Princit Harry në Mbretërinë e Bashkuar dhe shihet si një sinjal i mundshëm i përmirësimit të marrëdhënieve brenda familjes mbretërore, të tensionuara prej vitesh pas largimit të Harry-t dhe Meghan-it nga detyrat mbretërore.


