Flojera Davidhi është magjistratja e zgjedhur me short për të gjykuar kreun e PD-së Sali Berisha, pasi SPAK mbylli hetimet për dosjen “Partizani”.

Në këtë hetim të pandehur janë gjithashtu dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, 2 biznesmenë dhe financierja e familjes.
Pas një hetimi 4-vjeçar, SPAK njoftoi më 15 tetor se ka mbyllur hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, duke dërguar për gjykim 5 të pandehur, ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe financierja Andia Pustina.
Tashmë dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila do duhet të vendosë nëse kalon ose jo për gjykim. Kjo është hera e parë që një ish-kryeministër dërgohet për gjykim, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 Dhjetorit 2023 me vendime të GJKKO dhe Gjykatës së Lartë, për akuzën e “korrupsionit pasiv”.


