Parlamenti i Peru ka votuar për shkarkimin e presidentit në detyrë, José Jeri, i cili ndodhej nën hetim për ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Vendimi vjen vetëm pak javë para zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për 12 prill, duke e futur vendin në një tjetër fazë pasigurie politike.
Jeri, 39 vjeç, mori detyrën më 10 tetor, pas shkarkimit të paraardhëses së tij, Dina Boluarte, e cila u largua nga posti pas një vale protestash të lidhura me situatën e sigurisë në vendin andin.
Ai ishte vendosur në krye të shtetit me mandat të përkohshëm, me synimin për të qëndruar në detyrë deri në korrik, kur fituesi i zgjedhjeve të reja presidenciale do të merrte zyrtarisht drejtimin e vendit.



