Burimet bëjnë me dije se gjendja e Papa Françeskut vijon të jetë kritike.
Por fatmirësisht Vatikani raporton se ai kaloi një natë të qetë.
Megjithatë së fundmi në rrjet po “gumëzhin” se Vatikani është duke gënjyer sa i përket shëndetit të Papës, me një postim që shkruan se faktikisht ai ka ndërruar jetë pasditen e së dielës.
“Me dhimbje të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të Atit tonë të Shenjtë, Jorge Mario Bergoglio. Papa Françesku u fut në prehjen e përjetshme sot (dje) në orën 19:39, në Spitalin Universitar Agostino Gemelli në Romë. Falënderojmë për shërbimin e tij besnik dhe lutemi për prehjen e shpirtit të tij. Faleminderit për udhëheqjen, dhembshurinë dhe shërbimin tuaj të palëkundur ndaj Kishës. Prehu tani në përqafimin e përjetshëm të dashurisë së Zotit”, shkruhej në postimin që bëri xhiron e rrjetit.
Nga ana tjetër Vatikani i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke shkruar mëngjesin e së hënës, se Papa kaloi një natë të qetë, teksa tani po pushon.
