Një ngjarje e rëndë po trondit Spanjën, ku autoritetet kanë nisur hetime të thelluara pas gjetjes së trupave të pajetë në ujërat e Ishujve Balearik, pranë Ibizës dhe Formenterës. Garda Civile ka konfirmuar se deri tani janë zbuluar pesë trupa, të cilët kishin duart dhe këmbët e lidhura, duke ngritur dyshime të forta për vrasje.
Viktimat dyshohet se janë emigrantë që kanë tentuar të kalojnë me varka të vogla nga Algjeria drejt bregdetit spanjoll, një rrugë e rrezikshme që ka marrë mijëra jetë ndër vite. Megjithatë, mënyra në të cilën janë gjetur trupat, të prangosur, i ka shtyrë hetuesit të hetojnë mundësinë e një krimi të organizuar apo të vrasjeve me motiv të panjohur.
Sipas autoriteteve, trupat janë zbuluar në faza të ndryshme gjatë javëve të fundit, ndërsa policia ka mbajtur deri tani një qëndrim të rezervuar për detajet e hetimeve. Rasti është bërë edhe më i rëndë pas gjetjes së një trupi të gjashtë në rrethana të ngjashme pranë Formenterës, çka tregon se mund të kemi të bëjmë me një seri incidentesh të lidhura.
Hetimet vijojnë, ndërsa ky episod i errët ka rikthyer vëmendjen mbi rreziqet dhe tragjeditë që shoqërojnë rrugët e emigracionit të paligjshëm në Mesdhe.


