Rrugës për në Theth, ku do të zhvillojë një takim me aplikues të Paketës së Maleve, Kryeministri Edi Rama mbrojti këtë iniciativë dhe bëri të qartë se qeveria nuk e ka në plan shfuqizimin e saj. Përgjigja e shefit të qeverisë duket se vjen drejtpërdrejtë për protestuesit, të cilët që nga dita e parë kanë kërkuar anulimin e këtij ligji që sipas tyre lejon “shitjen e Shqipërisë”.
Kryeministri thotë se edhe kjo iniciativë shihet si akt tradhtie, por në komunikimin live me ndjekësit, të cilët e quajtën mashtrues, ai theksoi se kjo paketë është një mundësi e mirë investimi për të gjithë ata që kanë trashëguar një pronë në male, por nuk e kanë shfrytëzuar dot. Për Ramën, kërkesa për të anuluar këtë ligj, ka ardhur vetëm nga ata që i shohin malet nga “qyteti” dhe jo nga banorë të zonës apo emigrantë që preken drejtpërdrejtë nga kjo nismë, interesi i të cilëve thotë se është u lartë.
“Këtu nuk jemi në kushtet ku shiten malet. Këtu jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë. Këtu jemi në kushtet kur njerëz të cilët kanë një pemëtore, të cilët e mirëmbajnë prej vitesh dhe për të cilën kanë pamundësi të kenë letrat për arsyet që thashë, mund të pajisen me një leje për të bërë një agropërpunim. Jemi në kushtet kur mijëra emigrantë kanë shprehur interes sepse duan të investojnë. Turizmi do shkojë duke u bërë ekonomi gjithnjë e më domethënëse. Paketa e maleve është politikë për njerëzit, të drejtën e pronës, zhvillimit të pronës. Politikë që u shkon për shtat atyre që për vite nuk kanë mundur ta kthejnë pronën në aset financiar. Ca do me thënë të anulohet paketa e maleve, dmth që këto njerëz të mbeten pezull sepse disave që malet i shohin nga qyteti, nuk kam parë ndonjë komunitet nga këta që preken se për shkak nuk e kanë këtë paketë, të çohen të thonë që kjo paketa po na merr pronat. Ata mezi e presin, kjo është rezultat i shumë bisedave, i shumë përpjekjeve, nuk është diçka që lindi sa hap e mbyll sytë. Shitet në tregun e fjalëve si një tjetër akt tradhtie. Unë tradhtar, një temë tjetër kjo”, tha Rama.
Sipas tij, Paketa e Maleve do të jetë një histori suksesi për ta kthyer Shqipërinë në ‘Zvicrën e Vogël”.
“Paketa e maleve do jetë histori e madhe e shqiptarëve, për të ba Zvicrën e vogël”, theksoi Rama ndërsa iu përgjigj një komentueseje.


