Një familje e përbërë nga djali rreth 4-5 vjeç dhe prindërit e tij, erdhën si shumë të tjerë në një nga zonat publike të Borshit për të kaluar ditën e tyre.
Ne fakt pa shkuar ora 10.00 dhe ajo pjese plazhi u mbush plot. Kryesisht familjarë të moshave të ndryshme.
Babai shkoi të merrte çadrat tek makina, pasi gjetën vendin. Gruaja dhe djali qëndruan aty.
I vogli, mori një gurë dhe e fut në gojë. Nëna i shkon ia nxjerr dhe i godet duart.
Djali fillon dhe qan me të madhe.
Vjen babi.
Babai: Çfarë ka djali?
Nëna nuk foli. E qara e djalit u bë më e fortë. Tek kjo familje afrohet edhe një çift tjetër. (Më vonë u kuptua që ishte motra e gruas. I thërriste djalit, hajde tek tezja). Edhe ata ishin dëshmitarë të ngjarjes, por as ajo as bashkëshorti i saj nuk folën.
Djali flet duke drejtuar gishtin nga e ëma.
Djali: Gjujti mami.
Burri i drejtohet gruas me ton kërcënues: Çfarë ke bërë?
Dhe e qëllon nga krahu. Pasi e qëllon ia pickon mishin. Gruaja largohet.
Burri: Ulu aty dhe mos mu ngri më.
Gruaja nuk foli asnjë fjalë. As çifti tjetër që i shihte.
Ngjarja kishte shumë dëshmitarë.
Burri shkon tek djali dhe e përqafon.
Djali pushoi në moment.
Nena flet: Nuk do e marrim më me pushime.
Babi: Ti mbylle gojën mos fol fare.
Pasi ngjarja u qetësua, djali i shkon i kap flokët dhe ia tërheq. Nëna që i kthehet me inat dhe babai që qeshte.
__________________________________
E para.
Është shumë trishtuese që babai në sy të djalin ushtron dhunë fizike e verbale ndaj gruas së tij.
Një baba që edukon djalin, se dhuna është zgjidhja e shpëtimi.
E dyta.
Një djalë që nesër, me qortimin e nënës, fillon përsëri të qaj, e pret që babi të godasë nënën e tij, që të qetësohet.
Një burrë që qëllon gruan, se qëlloi djalin tek duart, se ky i fundit futi gurë në gojë.
E një djalë që shkon dhe i tërheq flokët nënës.
E një baba që qesh.
Si do rritet ky fëmijë?
Çfarë do mësojë ai?
Që dhuna është zgjidhje? Është formë komunikimi? A do ia bëjë këtë ai gruas së tij? Po nënës kur të rritet? Po fëmijëve të tij?
Pak ditë më parë në Konispol një person vret gruan me sëpatë. Babai i vrasësit kishte vrarë tre gra.
Prandaj duhet shumë kujdes me veprimet që bëhen në sy të fëmijëve. Shumë kujdes, pasi të vegjlit, janë të vëmendshëm ndaj çdo mesazhi që u jepet.


