Rreth orës 17:00 pritet të nisë protesta e opozitës pranë Ministrisë së Drejtësisë, në kryqëzimin e Bulevardit “Zogu I” me rrugën “Fortuzi”, një ngjarje që vjen paralelisht me zhvillimet e Samitit të Komunitetit Politik Europian në qendër të Tiranës.
Protesta është thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit, të cilat ai i ka cilësuar si një “farsë elektorale” të manipuluar nga mazhoranca. Sipas Berishës, qëllimi i protestës është të sensibilizojë liderët europianë mbi mënyrën se si, sipas tij, Edi Rama zhvillon zgjedhje në Shqipëri.
Në zonën pranë Ministrisë së Drejtësisë janë vendosur forca të shumta policie për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit. Autoritetet kanë vendosur barriera metalike për të ndaluar kalimin drejt qendrës, ku ndodhen liderët e Evropës që marrin pjesë në samit.
Pamjet nga terreni tregojnë përgatitjet intensive të forcave të rendit në funksion të sigurisë.


