Partia Demokratike zhvilloi sot një protestë kombëtare para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Protestuesit marshuan nga selia e PD-së drejt godinës së qeverisë, ku u mbajtën fjalime dhe u luajt himni kombëtar. Sapo mbylli fjalën kreu i PD-së Sali Berisha, protestuesit hodhën molotov drejt kryeministrisë dhe tentuan të largojnë gardhin metalik.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, së bashku me drejtues të tjerë të partisë, iu bashkua marshimit. Në fjalimet e tij, deputeti Belind Këlliçi denoncoi korrupsionin dhe emigrimin e shqiptarëve, ndërsa kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, theksoi se protestat synojnë mbrojtjen e dinjitetit dhe largimin e qeverisë. Ai shtoi se korrupsioni dhe kartelët e drogës po i vjedhin Shqipërisë të ardhmen dhe se qytetarët nuk do të dorëzohen.
Policia ndërmori masa për garantimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa disa akse rrugore u bllokuan për shkak të protestës.


