TIRANË– Seanca plenare e kësaj të enjteje të 18 Qershorit ka vijuar me tensione. Gjatë punimeve plenare në Kuvend, opozita është çuar në këmbë duke kapur foltoren për një pretendim replike, teksa do fliste deputeti socialist Ardit Bido.
Me pankarat dhe thirrje, të drejtuar nga Berisha, ata u vendosën para Gardës dhe akuzuan Peleshin për shkelje të rregullores.
Deputeti Bido akuzoi opozitën për etikën dhe sjelljen e saj, duke e cilësuar edhe antikombëtare.
“Këta zotërinj këtu që guxojnë për çështjet e mëdha të kombit dhe interesin e tyre, na flasin sot në Parlament dhe na bëjnë zhurmuesin.”- tha ai mes të tjerash.
Teksa nga salla dëgjohej që një prej deputetëve të opozitës (Flamur Noka) i thoshte:
“O bide…!”.
Peleshi ndërhyri në këto momente teksa Bido ndërpreu fjalën e tij për shkak të zhurmës.
“Zoti Bido nuk mund ta mbajë dot fjalën e tij në këto kushte dhe ka të drejtë, ju lutem uluni”, tha ai.
Kurse Bido kritikoi kolegët opozitarë:
“Kjo është shkelje e Kodit të sjelljes kur flet kolegu juaj, kjo është shkelje e të drejtës ndaj kanë të drejtë ata protestues që ju sulmojnë juve”.
Ndërsa opozita nuk u tërhoq nga Foltorja, Peleshi ndërpreu seancën për 5 minuta pushim./Radar.al


