Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Golds”, pas një vjedhjeje të ndodhur në një argjendari në një qendër tregtare në rrugën “Abdi Toptani”.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i një 17-vjeçari, banues në Tiranë, i dyshuar si autor i vjedhjes.
Sipas hetimeve, i mituri kishte vjedhur disa varëse floriri me vlerë rreth 12 mijë euro dhe më pas ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi varëset e vjedhura në cilësinë e provës materiale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e procedurave të mëtejshme.


