Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë një operacion të gjerë policor në komunat e Zveçanit dhe Zubin Potokut, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda janë duke zbatuar një urdhër të Gjykatës, lëshuar me kërkesë të Prokurorisë Speciale, për kryerjen e bastisjeve në nëntë lokacione të ndryshme në këto dy komuna.
Operacioni po zhvillohet në kuadër të hetimeve për disa vepra të rënda penale, përfshirë “Rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me ta”, “Vrasje të rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Në aksion janë angazhuar edhe njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa autoritetet theksojnë se të gjitha veprimet po zhvillohen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se më shumë detaje do të publikohen pas përfundimit të operacionit, i cili pritet të vijojë edhe gjatë ditës.


