Kryeprokurori Olsian Çela ka shprehur kundërshtinë ndaj draftit të Kodit të ri Penal, duke e cilësuar procesin e hartimit dhe përmbajtjen e tij problematike. Ai tha se nuk mori pjesë në prezantimin e javës së kaluar, pasi Prokuroria e Përgjithshme nuk ishte përfshirë në grupin e punës dhe nuk kishte pasur njohuri paraprake mbi draftin.
Çela kritikoi mungesën e një reflektimi të gjerë shoqëror mbi nevojën për një kod të ri, duke e quajtur këtë një “gabim fatal strukturor” që mund të minojë funksionimin e sistemit penal.
“Drafti nuk është produkt i një procesi natyror institucional e shoqëror, por një veprim i nxituar që rrezikon të sjellë konfuzion në aplikimin e normave dhe interpretime të ndryshme në raste të ngjashme,” – u shpreh ai.
Kryeprokurori vuri në dukje frymën represive të dokumentit:
“Zgjerimi i rrethit të veprimeve që klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim rrit potencialin e kriminalizimit të individit dhe sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve.”
Çela theksoi se përpara një kodi të ri, vendi ka nevojë urgjente për korrigjime në Kodin e Procedurës Penale, për të hequr burokracitë që, sipas tij, po zvarrisin hetimet dhe gjykimet.


