Ilir Alimehmeti, kandidati i listës së hapur të PD në Tiranë, nuk e sheh veten si të sakrifikuar pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, ku siguroi vetëm 18,055 vota dhe nuk arriti të marrë mandat në Kuvend. Në një intervistë për “Top Story”, ai theksoi se ndjesitë personale duhet të lihen mënjanë dhe se duhet të mbahet kujdes nga lodhja dhe demoralizimi.
“Nuk jam viktimë dhe nuk dua të mbetem peng i ndjesive personale. Kjo është një betejë që vazhdon dhe në fund do të fitojë e drejta dhe e vërteta,” deklaroi Alimehmeti, duke nënvizuar problematikat e një gare të pabarabartë dhe pretendimet për manipulim të procesit zgjedhor.
Ai paralajmëroi se raporti i OSBE-ODIHR ka evidentuar se PD-ja do të duhej të kishte marrë më shumë mandate në zgjedhje të ndershme dhe kërkoi transparencë të plotë në numërimin e votave, duke kërkuar pamjet filmike të procesit dhe verifikimin e dokumenteve zyrtare.
“Ka pasur shkelje dhe dyshime serioze, por ne duhet të jemi të fortë dhe të vazhdojmë luftën brenda rregullave. KQZ-ja ka dhënë numra që nuk përputhen me realitetin, ka pasur vota të dyshimta dhe kjo duhet hetuar deri në fund,” shtoi ai.
Në fund, Alimehmeti i bëri thirrje demokratëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos bien pre e lodhjes së procesit, sepse beteja për zgjedhje të ndershme sapo ka nisur.


