E Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn ka dhënë një mesazh të rëndësishëm në lidhje me qendrimin amerikan sa i takon luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.
Teksa mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të punës 7 vjeçare të KPK në lidhje me procesin e Vettingut për gjyqtarët e prokurorët. ajo tha se prokurorët dhe hetuesit në SPAK po luftojnë për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike.
Sakaq ajo theksoi se procesi i vettingut nuk ka mbaruar. Vanhorn tha se kërkesa e popullit shqiptar për llogaridhënie dhe transparencë, për drejtësi dhe barazi është po aq e fortë sot sa ishte në vitin 2016.
“Prokurorët dhe hetuesit në SPAK po luftojnë për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë po marrin përsipër përgjegjësinë për të vendosur standarde integriteti për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe për të vazhduar vlerësimet, të cilat ruajnë besimin e publikut”, tha zyrtarja.
Në përfundim të fjalimit Nancy VanHorn u shpreh se Shtetet e Bashkuara nxisin autoritetet shqiptare të vazhdojnë punën e mirë, pavarësisht nga pengesat me të cilat përballen.
“Krahas partnerëve tanë të BE-së, ne kemi qenë me ju në çdo hap që nga viti 2016 dhe kemi filluar të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit. Ecuria e vazhdueshme kundër korrupsionit do të sigurojë integritetin e sistemit gjyqësor dhe kjo varet nga vigjilenca dhe përkushtimi juaj”, tha e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn.


